Gjykatës e avokatit u humb kontakti me të akuzuarin për terrorizëm

Meqë mungoi në seancë, gjyqtari lëshoi përsëri urdhëresë për shoqërim me dhunë në gjykatë të Nexhat Ademit, i akuzuar për terrorizëm.
Ademi të hënën është dashur të paraqitej në shqyrtimin e dytë në bankën e të akuzuarit.
Në seancën e sotme parashihej të paraqiteshin kundërshtimet e provave dhe kërkesa për hedhje të aktakuzës, por seanca është shtyrë në mungesë të tij.
Gjyqtari i çështjes, Vesel Ismajli, tha se ai nuk e ka arsyetuar mungesën ndonëse ishte i njoftuar për kohën dhe datën e seancës.
“Nuk ka kushte ligjore për vazhdimin e kësaj seance të shqyrtimit të dytë gjyqësor. Për seancën e radhës do të lëshoj urdhëresë për shoqërim prapë me dhunë, por në qoftë se vazhdon kësisoji nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se me ia caktu masën e paraburgimit”, paralajmëroi gjyqtari Ismajli.
Ndërkaq avokati i të akuzuarit Ademi, Sabedin Cenaj, tha se ka tentuar disa herë që të bie në kontakt me të mbrojturin e tij, në telefonin e tij i është përgjigjur një person tjetër, i cili kishte pretenduar se është numri i gabuar.
“E kam një numër që ma ka dhënë ai, nuk po lajmërohet, po lajmërohet tjetër kush”, tha avokati Cenaj.
Ademi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës në janar të vitit 2014 ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll e nga ku më pas ka udhëtuar për në qytetin Gaziantep të Turqisë që ndodhet afër kufirit me Sirinë.
Prokuroria pretendon se qëllimi i Ademit ishte që të kalojë në Siri dhe të bëhet pjesë e organizatës Al-Nusra dhe të angazhohet për krijimin e Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut.
Në aktakuzë thuhet se Nexhat Ademi qëndroi në Siri për një javë në territorin që e kontrollonte Al-Nusra dhe pastaj u kthye në Kosovë.
Përpos këtij udhëtimi, Prokuroria Speciale pretendon se Ademi përsëri më 4 mars 2016 provoi të shkojë në Siri, por pasi arriti në Aeroportin e Stambollit u ndalua nga autoritetet turke dhe më pas u dëbua për në Kosovë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.
Seanca e radhës u caktua për në muajin nëntor.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.
Kjo seancë ishte shtyrë disa herë në të kaluarën për shkak të mungesës së të akuzuarit i cili në seancën e sotme erdhi nën shoqërimin e policisë.

SHARE