Ia panë sherrin përdorimit të fëmijëve për fushatë

Kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelajt duket se nuk po i kryejnë punë as fëmijët për t’i fituar zgjedhjet. Madje për shkak të tyre është ndëshkuar rëndë.

Deri më tani Çelaj, për përfshirjen e fëmijëve në fushatë zgjedhore përmes fotografive e spoteve elektorale është gjobitur me 3,500 euro nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Po aq edhe kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila është gjetur se ka bërë shkelje duke përdorur të miturit në një spot për qëllime politike.

Këtyre bashkë me Burim Berishën e LDK-së, kandidat për kryetar të Fushë Kosovës, Agim Veliun po ashtu të LDK-së, kandidat për kryetar të Podujevës dhe Shpend Ahmetin nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidat për kryetar të Prishtinës, përfshirja e fëmijëve në fushatë zgjedhore, përmes fotografive e spoteve zgjedhore u kushtoi me hiq më pak se 14 mijë euro, shkruan Gazeta Fjala.

Për dallim nga Çelaj e Kusari – Lila, Agim Veliu është dënuar me 3 mijë euro, ndërsa Shpend Ahmeti dhe Burim Berisha me 2 mijë euro gjobë.

Kjo ngase Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP), i ka paditur partitë që kanë përfshirë fëmijët në fushata pas ankesave që kanë bërë BIRN dhe Internews Kosova, të cilat janë marrë si të bazuara nga PZAP-ja.

Paneli, në arsyetimin e vendimit, ka gjetur se shpërndarja e fotografive të tubimit zgjedhor në të cilat ishin përfshirë edhe fëmijë paraqet shkelje të rregullave zgjedhore.

Pas këtyre ankesave, kandidatët për kryetar të komunës së Prishtinës, Gjakovës, Fushë Kosovës dhe Podujevës, i kanë fshirë postimet e tyre në rrjetin social Facebook.

Se fëmijët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në fushata zgjedhore, këtë e rregullon edhe ligji.

Neni 5.2 i Rregullës Zgjedhore Numër 13/2013 përcakton kategoritë e njerëzve që nuk kanë të drejtë të shfaqen në fushata zgjedhore, në mesin e të cilëve edhe personat që nuk kanë mbushur 18 vjet.

Partive politike u jepet kohë në afat prej 15 ditësh që ti paguajnë këto gjoba nga dita e pranimit të vendimit “nën kërcënim të përmbarimit”.

Imer Mushkolaj, analist politik, vlerëson se partitë politike po i shfrytëzojnë qëllimshëm fëmijët në fushatë, me synimin që të përfitojnë vota në emër të tyre.

“Ato e dinë se në këtë mënyrë po i keqpërdorin fëmijët, por mbase kanë llogaritur se përfitimi është më i madh se gjobat që paguajnë”, thotë ai.

Mushkolaj është skeptik se gjobat do të kenë efekt pozitiv te partitë politike që sipas tij, nuk do të vetëdijesohen asnjëherë, ndonëse më mirë do të ishte që të punojnë më shumë për të ardhmen e tyre, sesa t’i keqpërdorin për qëllime të ulëta.

Arbnora Kllokoqi nga koalicioni i organizatave që merren me mbrojtjen e fëmijëve, e vlerëson mjaftë shqetësuese shfrytëzimin e fëmijëve në fushatë apo në spote të ndryshme zgjedhore.

“… Prandaj KOMF bën apel tek institucionet vendore posaçërisht subjekteve politike, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore. Shkelje edhe më e rëndë është ndërprerja e procesit mësimor për përfshirje të fëmijëve në fushatë elektorale të partive politike. Përgjegjës në parandalimin dhe ndalimin e politizimit të fëmijëve janë partitë politike, prindërit, KQZ, MASHT, DKA-të dhe shkollat”, thotë Kllokoqi.

Sipas saj, MASHT dhe shkollat duke u bazuar në Ligjin për Arsimin duhet të mos lejojnë assesi që procesi mësimor të pengohet gjatë fushatës zgjedhore. Të mos shfrytëzohen ambientet shkollore gjatë fushatave elektorale të subjekteve politike, prindërit të vetëdijësojnë fëmijët e tyre për të mos e ndërprerë procesin mësimor, për pjesëmarrje në fushatat elektorale të partive politike.

“Ne besojmë që masat të cilat janë dhënë, do të ndikojnë që partitë politike dhe të gjithë përgjegjësit e tjerë, të vetëdijësohen në mënyrë që të mos përdoren fëmijët për qëllime politike. Duke pasur parasysh këtë, KOMF vlerëson punën e KQZ, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, vlerëson Kllokoqi duke thënë se partitë politike në vend të shfrytëzimit të fëmijëve për fushata, duhet t’i përfshijnë në programet e tyre politikat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. /Gazeta Fjala/

SHARE