Kush është Arta Marku, Kryeprokurorja që u zgjodh në kushte lufte

Arta Marku, 41 vjeçe me origjinë nga Puka, e diplomuar në shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe me detyrë deri dje zv/prokurore e Shkodrës është nga sot Kryeprokurorja e re e Republikës. Arta Marku u votua në këtë detyrë nga parlamenti i Shqipërisë në kushte lufte. Opozita kundërshtoi zgjedhjen e një Kryeprokurori nga mazhoranca duke kërkuar që emri i kreut të akuzës të dalë nga KLP-ja. Por përpos protestës jashtë dyerve të parlamentit, konfrontimit fizik në sallën e parlamentit, tymuesve në sallë, mazhoranca e çoi deri në fund misionin e saj.

Kësisoj, Arta Marku merr detyrën dhe shkon në Prokurorinë e Përgjithshme që sot. Ajo do të jetë e përkohshme në këtë detyrë, në afat të pacaktuar deri në zgjedhjen e organeve të reja të drejtësisë.
Arta Marku ka 15 vite punë si prokurore në Rrethin e Shkodrës, ku ka mbajtur detyra të ndryshme, si shefe e njësisë task forcë në 2006 e deri zëvendës/drejtuese e prokurorisë deri në 2016.

Zonja Marku e ka nisur karrierën e saj në kohën kur kryeprokuror në Shkodër ishte Ulsi Manja, sot kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Ajo që ra në sy gjatë prezantimit të saj në Komisionin e Ligjeve ishte fakti se nuk kishte pasur kurrë dosje të rëndësishme.

Arta Marku posedon një pasuri modeste pasi banon në një apartament 55 metra katror, por me marrjen e një kredie së bashku me bashkëshortin kanë blerë edhe një apartament tjetër në vitin 2007. Ajo është e martuar me një oficer të policisë gjyqësore dhe ka dy vajza të mitura. /Opinion.al

SHARE