Qeveria Haradinaj mashtron Pacollin, largon autostradën nga Gollaku

Janë bashkë në qeverisje, por duket se nuk po i kursejnë akuzat e ndërsjella. Tash zëvendësi i kryeministrit Ramush Haradinaj po e kritikon atë për mashtrim.

Siç thotë zëvendëskryeministri e njëkohësisht ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në kohën kur ky ishte jashtë vendit me detyrë, është vendosur që të ndryshohet traseja e autostradës për Gjilan.

‘Për shkak të angazhimeve të mija jasht vendit, fatkeqêsisht është devijuar traseja krejtësisht në drejtim tjetër dhe Gollaku ka mbetur i privuar nga e drejta për të pasur qasje në infrastrukturë moderne rrugore’, ka thënë Pacolli.

Sipas Pacollit, kjo rrugë ka qenë edhe pjesë e dakordimit të tij për t’u futur në Qeveri, duke përmendur më pas edhe fshatrat që mbesin të privuara nga devijimi i autostradës.

‘Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë pjesë e një dakordimi edhe me kryeministrin kur është formuar qeveria e Kosovës. Ndërrimi i trasesë së autostradës privon qasjen e një pjese të madhe të Gollakut nga qasja në këtë rrugë’, ka shtuar ai.

E përmendja e Gollakut nuk është krejt e rastësishme nga Pacolli. Shumica e votave të partisë së tij vijnë nga kjo anë, nga ku vjen edhe ai vet. Pacolli ka prejardhjen nga Marevci i Gollakut.

Ndryshe, ditë më parë u nënshkruar kontrata e Ministrisë së Insfrastrukturës me 8 kompani për të nisur punët në ndërtimin e autostradës që lidh Prishtinën me Gjilanin.

SHARE