Thaçi: Kemi mbështetjen e SHBA-së për marrëveshjen me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka theksuar ‘se ka marrë mbështetjen e të gjitha institucioneve të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB’.

Sipas një komunikate për media të lëshuara nga Presidenca e Kosovës, Thaçi është takuar me senatorin Ron Johnson, me senatorët demokratë Gary C. Peters dhe Robert Menendez, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin Kosovë-SHBA.

“Senatorët republikanë dhe demokratë janë të bashkuar rreth Kosovës dhe mbështesin fuqishëm perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe domosdoshmërinë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë”, citohet të ka thënë presidenti Thaçi.

Për transformimin e FSK-së dhe për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, presidenti Thaçi, thuhet në komunikatë, ka biseduar edhe në takimin e zhvilluar me senatorin republikan Marco Rubio.

“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Thaçi ka takuar ditë më parë edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe me John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, nga të cilët tha se ka marrë mbështetjen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

SHARE