A është Vladimir Putin një xhudist i rremë?

Nga Derek Hawkins

Aftësitë e Vladimir Putinit në artet marciale janë shndërruar në burim legjendash. Falë transmetimeve nga media shtetërore ruse, Putin ka fituar reputacionin e një eksperti të nivelit të lartë në xhudo, me aftësi kaq mbresëlënëse sa që janë bërë një metaforë për stilin e tij të qeverisjes.

64-vjeçari Putin mban rripin e zi në xhudo dhe ka marrë shumë medalje nderi në artet marciale nga organizatat që i japin ato. Një kërkim i shpejtë në Google nxjerr një mori fotosh e videosh të tij veshur me rrobën e xhudos teksa hedh në tapet kundërshtarët me një lehtësi të dukshme. Ai është edhe bashkë-autor i një libri për xhudon dhe ka marrë pjesë edhe në një video instruktimi të titulluar “Të mësojmë xhudo me Vladimir Putin”.

Aftësia e supozuar e tij në artet marciale përputhet me maçizmin që përcjell në sytë e botës, si një shtojcë e përkryer e pozave pa këmishë e veshur uniformë ushtarake, si dhe për përrallat e mundjes me arinjtë dhe për trullosjen e tigrave siberianë me shigjeta qetësuese.

Por a është vërtet Putin mjeshtri që shfaqet?

Jo, sipas Benjamin Wittes, editor i blogut për sigurinë kombëtare në SHBA, Lawfare.

Wittes, i cili është vetë një i apasionuar i arteve marciale, e quan Putinin “mashtrues” dhe “fals”, duke e ftuar të fortin e Rusisë të ndeshet me të në një vend ku Putin nuk ka autoritetin ta arrestojë.

Wittes e lëshoi sfidën e parë në vjeshtën e vitit 2015, kur Lawfare ishte ende një blog ekspertësh relativisht i vogël. Që atëherë, Lawfare është rritur në popullaritet, me publikimin e lajmeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA dhe me komente të ashpra kundër administratës së Trumpit. Vetë Wittes mori famë në Twitter me opinionet për marrëdhëniet e ish-drejtorit të FBI-së James B. Comey me presidentin.

Që nga maja e valës së re të popullaritetit, Wittes e sfidoi sërish Putinin në fundjavë, duke postuar në Twitter një link të postimeve origjinale për ndeshjen hipotetike. “Duhet të jem gati për ditën kur Kremlini do të më thërrasë”, thotë.

Sipas Wittes, një 47-vjeçar që mban rripin e zi në taekwondo dhe aikido, shumë nga videot xhudiste të Putinit janë falso. Ato fillojnë zakonisht me Putinin dhe kundërshtarin duke bërë nxehjen, pastaj kalojnë te momenti kur Putin hedh përtokë kundërshtarin. Wittes thotë se ata bien shumë lehtë.

“Të paktën në videot që kam parë nuk ka sulme të vërtetë kundër Putinit dhe nuk shoh përpjekje nga ana e kundërshtarëve për të fituar”, shkruan Wittes në Lawfare. “Videot janë demonstrime ku ai mburret me burrërinë e tij tesa ata bëjnë atë që japonezët e quajnë ukemi (rënie mbrojtëse) para tij”.

Në një postim në Facebook të titulluar “Pse nuk ndeshet me mua Vladimir Putin?”, Wittes shprehet pa doreza: “Putin është një artist marcial falso. Ai ndeshet vetëm me njerëz nën pushtetin e tij dhe ata e lënë të fitojë”.

Vlerat e Putinit në xhudo janë vënë në dyshim edhe nga autorë të tjerë përveç Wittes. Biografët e presidentit rus tregojnë se ai filloi ta praktikonte xhudon dhe teknikën luftarake sovjetike Sambo që kur ishte adoleshent, në St. Petersburg. Më 2001, ai e përshkroi kështu dashurinë e tij të përjetshme për të dy sportet:

“Nisa ta praktikoj këtë sport kur isha 14 vjeç dhe faktikisht ajo që nisa të merresha ishte diçka e quajtur SAMBO, akronimi rusisht për “vetëmbrojtje pa krahë”, që është një teknikë mundjeje ruse. Më pas, shkova në një palestër ku mësohej xhudo. Dhe kam qenë mjeshtër sportesh. Ne kemi rangjet tona sportive dhe unë mora ekuivalentin e rripit të zi në xhudo kur isha 18 vjeç, në mos gaboj. E kam praktikuar xhudon gjatë gjithë jetës sime si i rritur dhe e dua shumë këtë sport. Mendoj se është më tepër se thjesht sport. Mendoj se është edhe një lloj filozofie që të mëson ta trajtosh me respekt kundërshtarin. E ushtroj me kënaqësi këtë sport dhe përpiqem ta bëj rregullisht edhe tani. Po, edhe tani”.

Vitet e fundit Putin ka marrë shumë çmime nderi në artet marciale, jo dhe aq për aftësitë e tij në to se sa për përkrahjen ndaj tyre. Më 2014, një organizatë ndërkombëtare karateje i dha si çmim rripin e zi të gradës së tetë për promovimin e një lloji të karatesë me kontakt të plotë në Rusi. Një vit më herët, u promovua mjeshtër i madh i taekwondo-së nga Federata Botërore e Taekwondo-së, ndonëse ai nuk e praktikon këtë sport. The Independent vuri në dukje në atë kohë se tani ai ka një rang më të lartë se eksperti i arteve marciale dhe ylli i filmave me aksion Chuck Norris.

RT dhe media të tjera shtetërore i kanë promovuar me entuziazëm këto çmime duke thurur një personazh pothuajse superheroi.

“Kujt i duhen truprojat kur je kaq i mirë në vetëmbrojtje”, pyeste një reporti i RT më 2008, teksa Putin i vinte stërkëmbësh kundërshtarit dhe e hidhte në tapet. “Vladimir Putin tregon se ai nuk është politikan me të cilin mund të ngatërrohesh”.

Wittes nuk i ha këtë dhe thotë se propozimi për t’u ndeshur me Putin nuk është shaka.

“Putin ka dy rrugë, ose të ndeshet me një zyrtar të moshës së mesme të stërvitur mirë, mjaftueshëm, por jo ekspert, në kushte ku unë mund të fitoj pa frikë hakmarrjeje, ose të përballet me turpërimin para botës si qullac dhe fals”, shkruan Wittes. “Një lider vërtet i fortë nuk ka nevojë të inskenojë shfaqje ku ai përdor lakejtë e pushtetit të tij”.

Marrë nga Washington Post

SHARE