KRYEMINISTRI RAMA NUK ËSHTË GOMAR!

Nga Fadil LEPAJA

Qysh ka thanë i moçmi, gjithë secili prej nesh është njëlloj shtaze në politikë edhe në horoskop. Ndoshta nuk ka thënë pikërisht kështu i moçmi, por të shkretit shumë fjalë i janë veshur kot. Kryeministrit Rama, nuk ka nevojë me i veshë fjalë.

Pikërisht për këtë arsye, mbase askush nuk u ofendua në Kosovë, kur ai , nga foltorja e takimit të dy qeverive, në Pejë, nën vëmendjen më të madhe të mundshme mediatike, disa njerëz që mendojnë ndryshe për presidentin Thaçi i quajti, gomerë. Përfundimisht, kjo është një metaforë, sepse as z. Rama nuk është aq gomar, sa ti quaj gomerë deputetë, intelektualë dhe shumë kë tjetër në Kosovë të cilët nuk pajtohen me idenë evro-aziatike, të presidentit.

Kriteret, e gomarllëkut, në politikën tonë (ndër)kombëtare, kuptohet, i cakton Edi Rama. Ku me fjalë e ku me veprime. Është atraksion Edi. Atraksion (ndër)kombëtar. Pas këtij mandati, duhet “balsamosur” politikisht, për së gjalli, sikur (ar)mikun e tij, Berishën. Edhe nëse nuk duan, duhet të duan, për hir të kombit. Pa emrat e tyre nuk funksionon as politika në Kosovë lëre më në Shqipëri.

Jo se ja njohu ndokush këtë të drejtë, Edit, të tregojë me gisht gomerët, ashtu si bëri disa vite më parë me “idiotët”, por… “ WTF”!

Nëse, me fanatizëm i mbahemi të vërtetës dhe vetëm të vërtetës, zoti është dëshmitar, se Edi flet vetëm fjalë të famshme. Edhe nëse janë fjalë të zakonshme, sikur për shembull “gomar” apo “idiot” ato bëhen të famshme kur i flet ai. Thjesht, nuk i shkon për fytyrë, retorika me paqe, dialog, normalizim, luftë kundër korrupsionit, shtet ligjor…etj.

Tash, qysh e kemi pa, përpos të flas, Edi di edhe të shajë anglisht, më mirë se shqip. Dorën në zemër në njëfarë mënyre e vërtetoi dyshimin tim të kamotshëm se nuk është gjuha letrare shqipe, ajo e standardit të vitit 1972, ajo që do të i bashkojë shqiptarët. Është anglishtja! Shqiptarët e Kosovës përfundimisht kanë hequr dorë prej shqipes letrare.

Nuk e mësojnë dot. Akademikë, shkrimtarë, deputetë, të cilët flasin në standard duken qesharak kur përpiqen të flasin shqip, dhe përqeshen madje edhe nga fëmijët në kopsht. Të mos flasim për armiqtë e përbetuar të Edit, portalet!

Një fëmijë në kopsht, nga Tirana, e flet standardin më mirë se një a(m)akademik kosovar. Nuk mundesh me “repovat” në standard, vëlla. As poezia, përpos në gegnisht, nuk tingëllon si poezi. Tjerat pak a shumë janë vazhdim i politikës, me mjete letrare.

Nejse, prej se doli standardi, tash shqiptar nuk bëhesh me të lindur. Duhet të mësosh shqip, sipas standardeve. Edhe mësuesit, edhe profesorët e gjuhës, nuk e mësuan dot. Kjo për disa doli aq e vështirë, sa më lehtë e kanë të formojnë komb tjetër. Ok, ti mund të mendosh se je shqiptar, por kur flet shqip, në Shqipëri, e kupton që nuk je. Shqiptar je ti?

Edhe në politikë njëlloj. Ti mund të mendosh se je deputet, lider partie, apo analist, apo edhe më keq, portalist, por fare lehtë, nëse mendon ndryshe për Hashimin ose Edin, e gjen se nuk je as shqiptar, e as kosovar, por …. gomar.

Fjala, fjalën po e nxjerr, edhe detyrimisht vijmë të konstatimi se janë shtuar gomerët e janë pakësuar tradhtarët. Për shembull, nëse i referohemi historisë, atdhetari më i madh i politikës shqiptare, pas rënies së bustit të Enverit në Tiranë, doli të jetë Ahmet Zogu, i vetëshpallur më vonë edhe si mbret i shqiptarëve, i cili falë ndihmës vëllazërore të Nikolla Pashiçit, e pat çliruar Shqipërinë nga armiku më i madh i shqiptarëve, demokracia. Madje e pat çliruar edhe prej disa “patriotëve” të cilët u deshën të arratisen. Kush mbijetoi, mbijetoi, tjerët mësohen në libra të historisë.

Prandaj, me ndihmën e bjellogardistëve rus, dhe mercenarëve nga Kosova, Zogu, pasi kishte gjetur strehë gjashtë muaj në Beograd, ku kishte ikur i ndjekur nga revolucioni demokratik, me ndihmën vëllazërore të Serbisë, e çliroi Shqipërinë. Shqipëria e çliruar, pastaj, dalë ngadalë u çlirua edhe nga të gjithë gomerët, të cilët ikën jashtë, e disa edhe mbijetuan.

Tash, sërish, pas përpjekjeve prej tri dekadash, me ndihmën perëndimore, vetëm gomerët nuk e kanë kuptuar se pa ndihmën e presidentit serb Vuçiç dhe carit rus, nuk çlirohet dot Kosova. Perëndimi, nuk e kalon dot veton ruse dhe kineze, or gomerë, mund të thonë tash, pas emërimit të gjërave me emrin e vërtetë, nga kryeministri Rama.

Kështu ata që nuk e kuptojnë këtë, pra gomerët e atëhershëm, mendojnë se Ahmet Zogu është tradhtar. Mendojnë, madje edhe se Hashim Thaçi është tradhtar. E nuk e shohin veten se çfarë janë. Prandaj këtu Edi hyn në lojë dhe e ngatërron pak skemën.

Keni dëgjuar për “trojkat”? I keni parasysh “trojkat” ruse? Trojkat me kuaj, që tërhiqnin karrocat ! Këtu, përpos gomerëve, në politikën tonë (ndër)kombëtare mund të themi me krenari se tash kemi edhe kuaj. Është kjo ”trojka “ e kuajve, që e tërheq karrocën euro-aziatike, ndër shqiptarët. Skena politike është ndarë në kuaj dhe gomerë… Krejt kjo s’ka të bëjë fare me kufijtë e Kosovës. Ka të bëjë me kufijtë e BE dhe Euro-Azisë.

Tash, duhet dhënë hak edhe kryeministrit Rama. Në Kosovë, vërtetë janë shtuar zërat se presidenti ka rrëshqitur në tradhti. Ai po e ndjek një agjendë, me aq këmbëngulje, sa duket sikur ai po lufton për jetë a vdekje, gjithsesi në kuptimin politik të saj. Shumica po mendojnë se mbijetesën e vet politike, presidenti e ka lidhur me këtë projekt.

Kryeministri, liderët partiakë dhe gati të gjithë me përjashtim të mediave dhe këshilltarëve të presidentit, janë shprehur me plot dyshime rreth kësaj ideje dhe rreth bisedimeve kokë më vete dhe të fshehta që po zhvillon. Përderisa dihet se çfarë lloj shtaze është në horoskop, për nga kokëfortësia, është vështirë të konstatohet se cili lloj i “shtazës” politike është presidenti!

Nëse e pranojmë faktin se është gomar, kushdo që mendon se komandanti i UÇK, Hashim Thaçi është tradhtar, atëherë Edi ka problem me historinë. Edi, Hashimi nuk ishte komandant i i UÇK-së. Historikisht komandantë të UÇK ishin tre vetë: njëri nga ata është vrarë , ndërsa dy ndodhen në burg, të burgosur , në shtetin e Kosovës, të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Ok, e kuptuam se, Edi, në horoskop, është Gaforre. Thuhet se, Gaforret janë më të keqkuptuarat e të gjitha shenjave të horoskopit. Po në politikë cili lloj i “zoon politicon” është? Përse kaq shpesh keqkuptohet, ai?

SHARE