Protestat në Francë dhe reagimi i medias perëndimore

Prof. Dr. Mazhar Bağlı

Dyfytyrësia e medias perëndimore në trajtimin e ngjarjeve duket më qartë se asnjëherë tjetër në reagimin që po mban ndaj grevave dhe protestave të fundit në Francë.  Ditët e fundit në ekranet e televizionit francezët i shikojmë duke pritur në radhë për të blerë benzinë, shikojmë protestat e përballjes së popullit me policinë, vëmë re raste që vende vende pasqyrojnë ndërhyrjen mjaftë të ashpër të policisë. Mirëpo çfarë po ndodh në Francë, e cila u trondit fillimisht me vendimin e sektorit të energjisë për të shkuar në grevë dhe më pas me grevën e sektorit të transportit?

Për të kuptuar shkakun e këtyre ngjarjeve duhet të shikojmë një ligj neoliberal për punën, që partia socialiste në pushtet nisi ta zbatojë në fillim të vitit. Sipas reformës së qeverisë punëdhënësit do të kenë më shumë liri për të pushuar njerëzit nga puna, për të rritur orarin e punës dhe pakësuar pagesën për orët shtesë, pra me pak fjalë do ti detyrojnë punëtorët të bëjnë më shumë punë kundrejt një page më të ulët. Për më tepër populli doli në rrugë për të protestuar pas vendimit për ta zbatuar reformën në ligjin e punës duke përdorur kompetencën e qeverisë pa marrë më parë miratimin e parlamentit. Pavarësisht gjithë këtyre protestave, që kanë rreth dy muaj që vazhdojnë dhe që kanë nxjerrë në rrugë gjysmë milioni njerëz dhe që kanë lënë vendin në një situatë të vështirë, qeveria deri tani nuk ka bërë hap prapa. Por megjithëkëtë nga burime të ndryshëm të lajmeve mësojmë se sindikatat do të vazhdojnë ti bëjnë presion qeverisë deri në 8 qershor, datë kur pritet që reforma ti kalojë për diskutim senatit.

Grevat ndërsa po ndiqen me shqetësim, në veçanti për faktin se ato po ndodhin edhe në prag të kampionatit evropian të futbollit, “Euro 2016”, kanë ngjallur në mesin e rretheve të majta në Evropë një debat të rëndësishëm për arsye të praktikave që është duke ndjekur një qeveri socialiste në pushtet, e cila në vend të klasës punëtore po mbron kapitalin.  Çështja që u përpoqa t’ju përcjell shkurtimisht më lartë e bën të domosdoshme bërjen e një analize krahasuese të Turqisë me Francën me rastin edhe të 3-vjetorit të ngjarjeve ogurzeza “Gezi” në vendin tonë. Mund ta kuptojmë një vend, ku papunësia shënon rritje, popullariteti i liderit ka rënë në 14%, ku karburanti është kufizuar me 20 litra për çdo automjet, një vend që jeton vështirësi konkrete, madje si qytetarë të thjeshtë mund të mbajmë qëndrim në anën e punëtorëve francezë duke e identifikuar veten tonë me ata.  Mirëpo a kanë pasur me të vërtetë ndonjë shkak konkret ngjarjet “Gezi”, që e tronditën Turqinë për disa javë me protesta që shkuan deri në vandalizma shkatërruese, që nxiteshin nga media perëndimore dhe zgjatimet e tyre brenda vendit, që e futën vendin në siklet pa patur arsye?

Le të kujtojmë edhe shifrat ekonomike të majit të vitit 2013. 1 dollar amerikan në atë kohë këmbehej me 1,76 Lira Turke, interesat bankare ishin në brezin e 4-5%, në fushën e punës ishin reformuar të drejtat e punëtorëve dhe nëpunësve të administratës, rritja ekonomike e vendit thyente vazhdimisht rekorde në një kohë që bota ishte në krizë, papunësia lëvizte në nivelin e njëshifrorit, në vend bëheshin përpjekje për të vënë në jetë një projekt të zgjidhjes demokratike me qëllim për ti dhënë fund terrorit. Atëherë si mund ti shpjegojmë zhvillimet në një vend ku mirëkuptimi i shtetit despotik ishte zhdukur?    Ngjarjet “Gezi” në Turqi ishin një lëvizje kryengritëse qëllimi i të cilës ishte zbuluar e kishte dalë në dritë me sloganin që përdorte “Ende nuk e ke kuptuar që çështja nuk ka të bëjë me drurët që priten” dhe ky qëllim ishte të shkaktonte trazira në vend.

Nëse e mbani mend, zv.kryeministri i asaj kohe në Turqi, Bylent Arënç (Bülent Arınç) pranoi të takohej në emër të qeverisë me përfaqësuesit e protestuesve (Platforma e Solidaritetit me Taksimin) dhe kishte dëgjuar kërkesat e tyre.Kërkesat që renditën përfaqësuesit e turmës së ashtuquajtur ambientaliste, të cilët për ditë të tëra pushtuan godinat e administratës në metropolet e vendit, shkaktuan dëme të papara ndaj pasurisë publike, shkaktuan humbje jetësh të shumë civilëve të pafajshëm, në fakt në shënjestër kishin investimet e përmasave të mëdha dhe projektet që interesonin nga afër zhvillimin e vendit.  Si ka qenë qëndrimi që mbajtën mediat dhe platformat e medias sociale në Turqi dhe në Evropë gjatë ngjarjeve “Gezi”?Po ti krahasojmë me ato çfarë ndodhin sot në Francë (ose me shembujt e protestave në rrugë  që shikojmë në ndonjë vend tjetër të Evropës) nuk ka nevojë që të jesh specialist i medias për të parë dyfytyrësinë e medias perëndimore në aspektin e trajtimit dhe të përcjelljes së lajmit.

Ekzistojnë dallime të mëdha në mënyrën e ndërtimit të lajmit në lidhje me reagimin sociologjik që po ndodh në Francë sipas kërkesave relativisht të drejta dhe lidhur me formën e ndërhyrjes së forcave franceze të sigurisë ndaj manifestuesve, vendi që zënë këto lajme në aspektin numerik në organet mediatike me qëndrimin dhe statistikat në rastin e ngjarjeve “Gezi”. Ndërkohë që në median botërore shumë ngjarje në atë kohë, duke filluar që me bastisjen e zyrave të kompanisë “Google” në Paris me pretekstin e invazionit fiskal, forcat e sigurisë që përballeshin me manifestuesit e “Gezi”, të cilët përdornin armë zjarri, mollotof, gurë, armë vdekjeprurëse, afishoheshin me fotografi duke zënë të gjithë faqen e parë, qëndrimi i ashpër i policisë në Francë, e cila po bëhet skenë e protestave që zhvillohen si rezultat i kërkesave mjaft të drejta, aq sa nuk mund të krahasohen me ato tek ne (Turqi) anashkalohet sikur të jenë marrë vesh mes vete.  Në mënyrë të natyrshme edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i shpreh shqetësimet e tij në lidhje me këtë çështje.

Ky shqetësim i Presidentit të Republikës së Turqisë mund të shikohet si një reprezalje e roleve të tyre nxitëse në kryengritjen “Gezi”, mirëpo ky nuk është një lexim i drejtë i mesazhit. Turqia që në fillim e ka ngritur zërin e saj ndaj të gjitha padrejtësive që ndodhin në botë, ajo i kundërshton ato dhe shpreh shqetësimin e saj në lidhje me këto çështje.  Si përfundim qeveria (turke) nuk duhej të qëndronte indiferente ndaj sociologjisë që pasoi ngjarjet “Gezi”, të cilat shkaktuan çarje të mëdha dhe stanjacion në ekonomi dhe në strukturën sociale të vendit. Duhet që qeveria ti përqafojë edhe ato pjesë të shoqërisë që e ndjejnë veten të pashpresë, që si rrugëdalje të vetme shikojnë tentativa të tilla, që e kanë të vështirë të shprehen për shkak edhe të një opozite (politike) të pamjaftueshme. Kërkesat e tyre të arsyeshme duhen plotësuar. Ky është një problem që mund të zgjidhet në kuadër të mundësive që ka demokracia turke, por duhet parë edhe dallimi ndërmjet reagimit të medias perëndimore përballë grevës që po ndodh para syve tanë në Francë dhe reagimit të të njëjtave rrethe mediatike ndaj një ngjarjeje të çfarëdoshme shoqërore që ndodh në Turqi për arsye shumë herë më të ulëta.  – Nga Prof. Dr. Mazhar Bağlı, ligjërues në Degën e Sociologjisë së Fakultetit të Shkencave Njerëzore dhe Sociale pranë Universitetit “Karatay”, Konya.

SHARE